Humanizmi
E lindur nga dëshira për t’u ardhur në ndihmë pa dallim të plagosurve në fushat e betejës, Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, në rrafshin ndërkombëtar dhe kombëtar, përpiqet në çdo rrethanë të parandalojë dhe të lehtësojë vuajtjet e njerëzve. Ajo synon mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të njeriut si dhe respektimin e tij. Përkrah mirëkuptimin e ndërsjelltë, miqësinë, bashkëpunimin dhe një paqe të qëndrueshme midis të gjithë popujve.
Paanësia
Lëvizja nuk bën asnjë dallim për arsye kombësie, race, feje, gjëndje shoqërore apo përkatësie politike. Punon vetëm për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në vuajtjet që kanë dhe për t’u dhënë zgjidhje me përparësi nevojave më urgjente.
Neutraliteti
Me qëllim që të ketë gjithnjë besimin e të gjithëve, Lëvizja i shmanget pjesëmarrjes në çfarëdo polemike me karakter politik, racial, fetar apo ideologjik.
Pavarësia
Lëvizja është e pavarur. Duke qenë ndihmëse të pushteteve publike në veprimtaritë e tyre humanitare dhe duke iu nënshtruar ligjeve të vendeve përkatëse, Shoqatat Kombëtare duhet megjithatë të ruajnë një autonomi që u lejon të veprojnë gjithnjë sipas parimeve të Lëvizjes.
Vullnetarizmi
Ajo është një lëvizje që jep ndihmë vullnetare dhe pa interes
Uniteti
Nuk mund të ketë veçse një Shoqatë të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në të njëjtin vend. Ajo duhet të jetë e hapur për të gjithë dhe të shtrijë veprimin e saj humanitar në tërë territorin.
Universaliteti
Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në gjirin e së cilës të gjitha Shoqatat kanë të drejta të barabarta dhe detyrën të ndihmojnë njëra-tjetrën, është e përbotshme.